Aplikoni idenë tuaj të biznesit në kuadër të programit Nature Returns
Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr i fton të gjithë sipërmarrësit e interesuar, inovatorët e rinj, bizneset lokale, shoqatat, kompanitë familjare dhe individët me ide sipërmarrëse të aplikojnë në Thirrjen e Dytë për Ide Biznesi në kuadër të programit ndërkombëtar Nature Returns.
Programi Nature Returns është një iniciativë pilot që lidh mbrojtjen e natyrës, restaurimin e ekosistemeve dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në zonat e mbrojtura në Evropë dhe Afrikë. Përmes bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve lokale, sipërmarrësve, menaxherëve të zonave të mbrojtura dhe ekspertëve, programi mbështet zhvillimin e bizneseve që kontribuojnë në zgjidhjen e sfidave konkrete mjedisore, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja ekonomike për popullsinë lokale.
Në kuadër të fazës së parë të programit tashmë janë mbështetur 15 biznese në pesë zona pilot:
- Parku Kombëtar Mali Sharr (Maqedonia e Veriut)
- Parku Natyror Pico (Portugali)
- Parku Kombëtar Príncipe (São Tomé dhe Príncipe)
- Parku Natyror Lonjsko Polje (Kroaci)
- Parku Natyror Ulqin Salina (Mali i Zi)
Tani hapet mundësia për mbështetjen e ideve të reja që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e kërcënimeve me të cilat përballen këto zona të mbrojtura.
Cilat sfida janë prioritet për Parkun Kombëtar Mali Sharr?
Për Parkun Kombëtar Mali Sharr, programi kërkon zgjidhje inovative biznesi që do të ndihmojnë në përballimin e sfidave të mëposhtme:
- Prerja ilegale e pyjeve;
- Gjuetia e paligjshme;
- Ndotja e ujërave;
- Zjarret pyjore;
- Braktisja e zonave rurale dhe praktikave tradicionale;
- Zhvillimi jo i qëndrueshëm i infrastrukturës.
Idetë e propozuara të biznesit nuk duhet domosdoshmërisht të zgjidhin tërësisht problemin, por duhet të tregojnë qartë se si përmes veprimtarisë së tyre do të kontribuojnë në zvogëlimin e një prej këtyre kërcënimeve dhe do të krijojnë ndikim pozitiv për natyrën dhe komunitetin lokal.
Kush mund të aplikojë?
Thirrja është e hapur për:
- Individë me ide inovative biznesi;
- Kompani startup;
- Mikro dhe biznese të vogla ekzistuese;
- Ndërmarrje sociale;
- Shoqata dhe iniciativa që zhvillojnë aktivitete ekonomike të qëndrueshme;
- Sipërmarrës të rinj dhe persona që dëshirojnë të fillojnë biznesin e tyre.
Nuk është e nevojshme që aplikantët të kenë tashmë një kompani të regjistruar. Më e rëndësishmja është ideja dhe potenciali i saj për të kontribuar në mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin lokal.
Çfarë kërkohet në aplikim?
Aplikimi është i thjeshtë dhe plotësohet online. Kandidatëve u kërkohet të dorëzojnë informata bazë për:
- Të dhënat personale dhe kontaktuese;
- Vendndodhjen ku do të realizohej ideja;
- Përshkrimin e shkurtër të idesë së biznesit;
- Problemin që adreson ideja;
- Ndikimin pozitiv të pritshëm në natyrë dhe komunitetin lokal;
- Përdoruesit dhe klientët potencialë;
- Fazën aktuale të zhvillimit të idesë;
- Mbështetjen e nevojshme për realizimin e saj;
- Motivimin për pjesëmarrje në program.
Në këtë fazë nuk kërkohet plan biznesi i përfunduar.
E rëndësishme: afati për aplikim është i shkurtër
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është:
19 qershor 2026
Kjo do të thotë se sipërmarrësit e interesuar kanë afërsisht dy javë kohë për të plotësuar aplikimin dhe për të prezantuar idenë e tyre.
Çfarë përfitojnë kandidatët e përzgjedhur?
Kandidatët, idetë e të cilëve do të përzgjidhen në fazën e ardhshme, do të përfitojnë:
- Mbështetje profesionale dhe mentorim;
- Ndihmë në zhvillimin dhe përmirësimin e konceptit të biznesit;
- Mbështetje për përgatitjen e planit të biznesit;
- Rrjetëzim me ekspertë dhe sipërmarrës nga komuniteti ndërkombëtar Nature Returns;
- Përgatitje për prezantimin e idesë para një komisioni ndërkombëtar.
Pas përfundimit të programit të mentorimit, kandidatët do të kenë mundësinë të prezantojnë online idenë e tyre të biznesit para një jurie ndërkombëtare të përbërë nga ekspertë të fushës së sipërmarrjes, mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në bazë të procesit të vlerësimit do të përzgjidhet edhe një ide biznesi (startup) nga Parku Kombëtar Mali Sharr, e cila do të përfitojë mbështetje shtesë gjatë vitit 2026 për zhvillimin dhe realizimin e mëtejshëm.
Si të aplikoni?
Aplikimi është i qasshëm në linkun e mëposhtëm:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSesK3QVqSTiZ9jj7TUyy062wliBi5brDCeR2wxD2YChDwn3Vg/viewform
I inkurajojmë të gjithë qytetarët e interesuar, sipërmarrësit, të rinjtë, prodhuesit lokalë, punonjësit e sektorit të turizmit dhe dashamirët e natyrës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të propozojnë ide që do të kontribuojnë në ruajtjen e vlerave natyrore të Malit Sharr dhe njëkohësisht do të krijojnë mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale.
Së bashku mund të tregojmë se natyra dhe sipërmarrësia mund të krijojnë vlerë të përbashkët dhe një të ardhme të qëndrueshme për Malin Sharr.